Antropologjia biologjike në fokus: Britney Kyle nis programin e pasur akademik në IAUP
Sot, profesoresha Britney Kyle nga Universiteti i Kolorados Veriore, në kuadër të programit Fulbright, mbajti një ligjëratë hyrëse mbi antropologjinë biologjike (Youtube video). Gjatë ligjëratës, ajo shpjegoi marrëdhëniet e kësaj fushe me disiplina të tjera shkencore, si dhe lidhjet e saj me antropologjinë kulturore, arkeologjinë dhe antropologjinë gjuhësore.
Prof. Kyle ofroi gjithashtu një diskutim të rëndësishëm mbi nevojat dhe potencialin e zhvillimit të antropologjisë biologjike në Kosovë, veçanërisht në raport me kërkimet arkeologjike dhe me antropologjinë forenzike, e cila merr një rëndësi të veçantë në kontekstin e pasluftës në Kosovë.
Në këtë ligjëratë morën pjesë edhe prorektorët Avni Hajdari dhe Adem Beha, si dhe profesorë dhe studentë të antropologjisë dhe të Fakultetit Filozofik në përgjithësi.
Gjatë qëndrimit të saj pesëjavor në Institutin e Antropologjisë (IAUP), Prof. Kyle do të zhvillojë një program të pasur akademik që përfshin ligjërata publike, punëtori praktike dhe aktivitete të tjera profesionale me stafin dhe studentët. Ky program synon të kontribuojë në vendosjen e themeleve të antropologjisë biologjike në Kosovë, duke forcuar kapacitetet kërkimore dhe mësimore në këtë fushë.
Po ashtu, vizita e saj përfshin takime institucionale, bashkëpunime akademike dhe aktivitete në terren, duke krijuar mundësi për shkëmbim njohurish dhe për zhvillim të mëtejshëm të disiplinës në vend.
Leave a Reply