Vizita e prof. Mike Galaty-t në IAUP
Gjatë vizitës së tij dyjavore në Institutin e Antropologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, prof. Mike Galaty mbajti 2 ligjërata tematike, pati disa takime konsultuese me kolegë, mori pjesë në promovimin e revistës “Kosova Anthropologica” dhe vizitoi disa lokalitete arkeologjike (Bostan/Novobërdë, Pepaj/Lubozhë, Llugë/Vrellë) dhe Muzeun e Masakrës në Krushë të Madhe, për t’u njohur nga afër me punën hulumtuese të kolegëve antropologë.
Ai është gjithashtu mbikëqyrës dhe mentor i tre doktorantëve të Universitetit të Miçiganit, të cilët aktualisht kryejnë kërkime arkeologjike në këto lokalitete në Kosovë.
Prof. Galaty mbajti dy ligjërata tematike për stafin dhe studentët e Departamentit të Antropologjisë si dhe kolegët e Fakultetit Filozofik:
- “Anthropological Archaeology in the Balkans Today: What Big Questions Should We Be Asking?”
- “Preparing for Graduate School in Anthropology in the United States: A Step-By-Step How-To Guide”
Si anëtar i redaksisë së revistës Kosova Anthropologica, ai mori pjesë në promovimin e vëllimit 2/2024, ku ndau me të pranishmit përvojat dhe sfidat e revistës, si dhe vizionin për rolin e saj në botën akademike ndërkombëtare.
Gjatë kësaj vizite, ai zhvilloi takime me drejtorin e Institutit të Antropologjisë, prof. Arsim Canolli dhe stafin e Departamentit të Antropologjisë, ku diskutuan mundësitë për avancimin e studimeve antropologjike dhe arkeologjike në Kosovë, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara në fushat e antropologjisë, arkeologjisë, muzeologjisë dhe trashëgimisë kulturore në përgjithësi.
Prof. Galaty është profesor i antropologjisë dhe drejtor i Muzeut Antropologjik në Universitetin e Miçiganit. Po ashtu, ai është anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit të Antropologjisë në UP . Për dy javë ai ishte në vizitë në Institutin e Antropologjisë përmes Fulbright Specialist Programme.

Leave a Reply