Memorandum Mirëkuptimi me Departamentin e Antropologjisë, Universiteti i Miçiganit në SHBA
Para disa ditësh, Instituti i Antropologjisë (IAUP) nënshkroi Memorandum Mirëkuptimi me Departamentin e Antropologjisë, Universiteti i Miçiganit në SHBA. Përmes këtij memorandumi synohet të bashkëpunohet në projekte të përbashkëta, shkëmbime të studentëve dhe hulumtuesve, organizimi të konferencave dhe punëtorive të përbashkëta e në tema të tjera me interes të dyanshëm.
Drejtori i Institutit të Antropologjisë, profesor Arsim Canolli theksoi se “ky memorandum është hapi i parë i Institutit në krijimin e partneriteteve mes institucione ndërkombëtare, me të cilat synojmë të bashkëpunojmë në vitet e ardhshme.” Sipas tij, në vijim priten edhe përfundimet dhe nënshkrimet e memorandumeve të tjera me institucione të tjera ndërkombëtare dhe vendore.
Profesor Mike Galaty nga Departamenti i Antropologjisë në Miçigan, theksoi se “Instituti i ri i Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës ndjek një qasje me katër fusha në studimin e sjelljes njerëzore, e cila përputhet me atë të Departamentit të Antropologjisë në Universitetin e Miçiganit.”
Duke folur për rëndësinë e këtij memorandumi, ai theksoi se “do të gjejmë mënyra të reja për ta çuar antropologjinë në drejtime të reja në Kosovë. Do të ndërtojmë mbi bashkëpunimet e fundit në fushën e arkeologjisë dhe do të planifikojmë projekte të reja që lidhen me etnografinë dhe studimet e trashëgimisë kulturore, me synimin për të dokumentuar kulturën unike të Kosovës dhe për ta ndarë atë me botën.”
“Me padurim presim të bashkëpunojmë me stafin dhe studentët e Institutit të Antropologjisë në rugën e kërkimit dhe mësimdhënies së frytshme e të përbashkët,” theksoi ai.
Më 3 tetor 2024, në ditën e inaugurimit të IAUP-së, Profesor Mike Galaty kishte ardhur nga SHBA enkas për të marrë pjesë në inaugurimin e Institutit. Ai njëherish është edhe anëtar i jashtëm i Këshillit Drejtues të IAUP-së.
Themelimi i Institutit të Antropologjisë (IAUP), pranë Departamentit të Antropologjisë, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, është përkrahur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.
Leave a Reply